Site icon Telegrafi

Avokati i të moshuarës: Vendimi për lirimin e infermiereve tërësisht i kundërligjshëm

Gjykata Supreme i ka liruar nga paraburgimi tri infermieret e përfshira në sulmin fizik ndaj një të moshuare në Pejë. Lidhur me këtë vendim ka reaguar avokati i familjes së të moshuarës, Meshari Selimaj, duke e quajtur “tërësisht të kundërligjshëm”.

Selimaj ka thënë se ky vendim është marrë ende pa përfunduar procedura hetimore.

“Një vendim tërësisht i kundërligjshëm është marrë nga ana e Gjykatës Supreme për të ndërprerë masën e paraburgimit…në një moment ku akoma nuk ka përfunduar procedura hetimore…dhe akoma pa u bërë një muaj kemi një vendim të marrë”, ka thënë Selimaj në emisionin “Five” në RTV Dukagjini.

Sipas tij, ky vendim ia ka dobësuar besimin në sistemin gjyqësor të Kosovës palës së dëmtuar, por edhe të gjithë qytetarëve të vendit.

“Ky vendim pikësëpari e dobëson besimin e palës së dëmtuar dhe publikut në sistemin e gjyqësorit, pasi kemi të bëjmë me disa veprime të cilat kanë një sjellje të vrazhdë ndaj një personi siç është e moshuara”, ka shtuar Selimaj.

Ai tutje ka thënë se një vendim i tillë nga Gjykata Supreme është “ledhatim ndaj të pandehurave”.

“Gjykata e shkallës së parë edhe ajo e Apelit e kishin lënë në fuqi e doli Supremja dhe e ndryshoi një vendim të tillë…ndonëse ky vendim nuk është dënim meritor, nuk e vërteton fajësinë e as pafajësinë…në një formë është një ledhatim që po i bëhet të pandehurave”, ka shtuar Selimaj.

Incidenti për të moshuarën u bë i njohur pas publikimit të një videoje.

Në pamjet e publikuara shihet një infermiere vazhdimisht duke sulmuar të moshuarën, derisa një tjetër incizon të gjithë incidentin e një tallet me sulmin.

Tri infermiereve të dyshuara të përfshira në këtë rast, Aurona Pelaj, Altina Rexhepi, dhe Remzije Kuqi – Gashi, u ishte caktuar masa e paraburgimit prej një muaji më 2 nëntor nga Gjykata e Pejës.

Edhe Oda e Infermierëve të Kosovës të njëjtave ua ka tërhequr licencën. Ndërsa, Shtëpia për të Moshuar “Orenda” në Pejë, ku ka ndodhur ngjarja, është mbyllur zyrtarisht nga institucionet.

Exit mobile version