Telegrafi

Avokati Stojkoviq ndalohet përsëri nga BIA serbe, ditë më parë bëri homazhe në Prekaz

Avokati serb, Çedomir Stojkoviq, ka njoftuar se është ndaluar përsëri nga autoritetet serbe – rreth tri javë pasi bëri homazhe në kompleksin memorial në Prekaz.

Stojkoviq është marrë në pyetje në pikën kufitare në mes të Serbisë dhe Hungarisë, në Horgosh.

“Më ndaluan sërish ilegalisht në pikën kufitare në Horgosh, këtë herë gjatë daljes nga vendi”, ka shkruar ai në rrjetin social “X”.

Avokati serb tutje është shprehur se ndalimi i tij është bërë për të njëjtat arsye sikur herën e parë – vendosja e luleve mbi varrin e Blerina Jasharit dhe faktin se përfaqëson politikanin serb, Nikola Sanduloviqin.

Lexo po ashtu ​Avokati serb, Stojkoviq tregon arsyet e ndalimit të tij në aeroportin e Beogradit

“Pikërisht për të njëjtat arsye: 1) Vendosa lule mbi varrin e një vajze shqiptare më 18 janar 2024. në Prekaz, 2) përfaqësoj Nikola Sanduloviqin; – dhe BIA nuk më lejon të lëviz lirshëm për këtë”, ka shkruar tutje Stojkoviq.

Po ashtu, ai ka thënë se policia serbe ia kanë marrë pasaportën me arsyetimin se po kryejnë “kontroll kufiri”, por kjo, sipas tij, është gënjeshtër.

“Unë iu them: “Po gënjeni! Nuk kryeni asnjë kontroll kufitar, as pasaportën time, as makinën time, as plaçkat e mia, po ju them që kam të fshehura 15 kilogramë heroinë, 3 milionë euro dhe 2 emigrantë, makinën time, dhe ju ende nuk e kontrolloni makinën time”, ka shtuar avokati.

Një ditë pas homazheve në Prekaz, Stojkoviq është ndaluar për rreth katër orë nga Agjencia e Inteligjencës së Sigurisë së Serbisë.

“Pasi u ndalova për katër orë nga anëtarët e Agjencisë së Sigurisë Informative të Serbisë, më liruan për lëvizje të lirë. Tani Aleksandar Vuçiq duhet të shpjegojë pse jam liruar unë, ndërsa për të njëjtën çështje u ndalua Nikolla Sanduloviq.

Lirimi im nuk është rezultat i vullnetit të autoriteteve. Unë u lirova sepse autoritetet ishin në dijeni se nëse do të më arrestonin edhe mua, presioni nga ndërkombëtarët do të ishte shumë i madh”, ka shkruar ai më 19 janar 2024, në “X”. /Telegrafi/