Telegrafi

Avokati serb: Kosova shtet evropian, Serbia shtet i Putinit

Avokati serb, Çedomir Stojkoviq, ka deklaruar se Kosova është një vend i qartë evropian, kurse Serbia një shtet i Putinit.

Reagimi i avokatit serb vjen pasi Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka zbuluar planin e qeverisë për miratimin e Kodit Civil gjatë vitit 2024, i cili lejon martesat e të njëjtës gjini.

“Kosova është një vend i qartë evropian. Serbia është vendi i Putinit. Europride u zhvillua në Kosovë pa asnjë problem. Në Serbi, Europride sigurohet nga ushtria dhe policia”, ka shkruar Stojakoviq në platformën “X”, transmeton Telegrafi.

Më tej ai ka thënë se “Në Kosovë, ministrja e Drejtësisë qëndron në mbrojtje të komunitetit LGBTQ. Në Serbi, kryeministres lezbike nuk i lejohet të thotë publikisht asgjë për temën LGBT”, ka shkruar avokati serb.

“Është jetike për miratimin e Kodit Civil, veçanërisht kur i afrohemi anëtarësimit në Këshillin Evropian. Unë kam besim se ai do të kalojë këtë vit”, citohet të ketë thënë ministrja Haxhiu, duke shpalosur planin e Qeverisë, për miratimin e Kodit Civil gjatë vitit 2024, i cili lejon martesat e të njëjtës gjini.

Lexo po ashtu Haxhiu: Kodi Civil kalon këtë vit

Nëse Kodi Civil kalon në Parlament, Kosova do të bëhet vendi i parë me popullatë shumicë myslimane që njeh martesat e personave të gjinisë së njëjtë. /Telegrafi/