Telegrafi

Avokati i Popullit për situatën në veri: Rendi dhe ligji të rikthehen në të gjithë territorin e Kosovës

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, është duke i përcjellë me vëmendje ngjarjet në veri të Kosovës dhe ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me situatën e krijuar.

Sipas njoftimit për media nga Institucioni i Avokatit të Popullit, Qelaj ka tërhequr vëmendjen e autoriteteve që në mënyrë të kujdesshme të harmonizojnë të gjitha veprimet në respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut.

“Z. Qelaj tha se mbi bazën e informacionit që ka marr nga mediat për arrestimin dhe ndalimin e ish-policit Dejan Pantiç, ka kërkuar informata zyrtare nga autoritetet kompetente që të sigurohet se po respektohen të drejtat që i ka çdo person i arrestuar apo i ndaluar nga policia”, thuhet në komunikatën për media.

Avokati i Popullit ka theksuar se vendosja e barrikadave në veri e pengon lëvizjen e lirë të qytetarëve, dhe në këtë rast është detyrë e autoriteteve që sa më shpejt të gjenden mënyra për të siguruar respektimin e kësaj të drejte.

“Avokati i Popullit vlerëson se duhet të rikthehet rendi dhe ligji në gjithë territorin e vendit, duke mundësuar realizimin e të drejtave civile si dhe mbrojtjen dhe respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive të njeriut të garantuara më kushtetutën e Republikës së Kosovës”, thuhet tutje.

“Avokati i Popullit e vlerëson angazhimin e të gjitha mekanizmave vendore e ndërkombëtare, për të siguruar në këtë mënyrë të drejtën elementare për siguri, jetë, lëvizje të lirë, të drejtën për punë dhe të drejtat tjera të garantuara”. /Telegrafi/