Institucioni i Avokatit të Popullit ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësim të Ligjit për Zgjedhjet e përgjithshme.
Në një njoftim në Facebook, Avokati i Popullit bën të ditur se dispozita e kontestuar është neni 28 i Ligjit që ka përcaktuar se “Në listën e kandidatëve të secilit subjekt politik së paku 30% janë meshkuj dhe së paku 30% janë femra, me nga një kandidat të secilës gjini përfshirë së paku njëherë në secilin grup prej tre kandidatëve, e që numërohet nga kandidati i parë në listë”.
Lidhur me rregullimin e tillë të përfaqësimit gjinor në listat e kandidatëve, Avokati i Popullit ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të vlerësojë nëse dispozita e kontestuar është në përputhshmëri me nenin 7 [Vlerat] të Kushtetutës; nëse dispozita e kontestuar është në përputhshmëri me nenin 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës; dhe nëse dispozita e kontestuar është në përputhshmëri me nenin 45, paragrafi 1 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes] të Kushtetutës.
Kërkesa është parashtruar pasi që Avokati i Popullit është i bindur se përcaktimi i kuotës “së paku 30%” për secilën gjini e përligj trajtimin e pabarabartë të grave.
“Një rregullim i tillë ligjor ka dëshmuar në praktikë se gratë në vazhdimësi mbeten të nën-përfaqësuara në listat zgjedhore, duke u përmbushur vetëm minimumi i përcaktuar me ligj, e që ky minimum nuk pasqyron barazi për gratë”, thotë Avokati i Popullit.
Avokati i Popullit vlerëson se vendosja me ligj e kuotës “së paku 30%” për secilën gjini paraqet një lloj paragjykimi të pajustifikuar, duke marrë parasysh se përqindja gjinore në mes të gjinive është pothuajse 50:50, me dallime të vogla dhe çdo kuotë minimale e përfaqësimit nën 50% nuk është në përputhje me qëllimin legjitim që ka ndjek ligji.
Për më tepër, Avokati i Popullit tërheq vëmendjen se shumica e listave të subjekteve politike që garuan në zgjedhjet e përgjithshme të 14 shkurtit 2021, kanë qenë të përfaqësuara me 30% femra dhe 70% meshkuj, ku edhe atëherë kriter ligjor për kuotën gjinore ka qenë që në listat e subjekteve politike secila gjini të jetë e përfaqësuar me jo më pak se 30%.
Në praktikë vërehet se femrat kanë qenë të përfaqësuara me 30% ndërsa meshkujt me 70%. Ndërsa, është vërejtur se pothuajse në të gjitha listat me kandidatët e subjekteve politike çdo i treti kandidat ka qenë grua, ndërsa dy kandidatët e parë kanë qenë burra, thotë Avokati i Popullit.
Avokati i Popullit sqaron se nuk do të kërkojë masën e përkohshme, duke e pasur parasysh se një përcaktim identik është edhe në ligjin e shfuqizuar, e që në praktikë nuk do të reflektonte ndonjë ndryshim substancial.
Ndryshe, Ligji për Zgjedhjet e përgjithshme është miratuar në Kuvendin e Kosovës më 8 qershor 2023. /Telegrafi/