Mediat e afërta me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kanë raportuar se ai ka përmendur, Florim Ejupin si vrasës të Oliver Ivanoviqit.
Avokati Mahmut Halimi në një prononcim për Telegrafin këto akuza të rënda për ish-klientin e tij, i ka quajtur trillim dhe çorbë të Beogradit, që siç tha ai, nuk po mund të dalë kurrsesi nga përgjegjësia për vrasjen e Ivanoviqit.
Avokati Halimi ka thënë se ndaj ish klientit të tij nuk ka asnjë procedurë kundër tij.
“Beogradi nuk po mund të dal kurrsesi nga përgjegjësi për vrasjen e Ivanoviqit, dhe po mundohen me metoda të tilla të cilat veçse janë të njohura. Kjo s’është kurrfarë risie…Një trillim i kulluar”, ka thënë ai.
Halimi po ashtu i ka thënë Telegrafit se Ejupi e jeton jetën e tij duke mos marr fare me këto akuza.
“Njeri është duke u marrë me punët e veta, me jetën e tij, njëherë e përgjithmonë i ka qitë mbrapa shpine akuzat. Ish-klienti im është duke e vazhdu jetën e vet dhe s’merret me këtë punë hiç”, ka thënë Halimi.
Avokati Halimi theksoi se përderisa vet presidenti i Serbisë përzihet në interesin e hetimeve, dihet se çfarë qëndron prapa.
“Bëhet fjalë për një shtet kriminal ku inkorporohet edhe kryetari i shtetit, prononcohet edhe përzihet në interesin e hetimeve”, tha ndër të tjera avokati Halimi. /Telegrafi/