Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për tërheqjen e urdhër arrestit ndaj Milan Radoiçiqit i cili ishte i dyshuar për veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”.
Ndaj kësaj ka reaguar avokati Besnik Berisha.
Përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’, ai ka pyetur kush e ka negociuar revokimin e urdhër arrestit për Radoiçiqin.
“Urdhërarresti pa shkak ligjor, apo revokimi i tij Pazar ditor, mbetet të mësohet në ditët në vijim. Ajo çfarë dihet deri më tani është se një praktikë e tillë, për dyshimin siç rendonte mbi Radoiçiqin nuk është aplikuar asnjëherë për asnjë të dyshuar shqiptar”, ka shkruar Berisha.
Në gusht të vitit 2019 Ministria e Drejtësisë kishte lëshuar letër- rreshtim ndaj Milan Radoiçiqit.
Konfirmimin për letër- rreshtimin në vitin 2019 e kishte dhënë edhe ish- ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.
Milan Radoiçiq ka qenë në kërkim me anë të një letër- rreshtimi në lidhje me vrasjen e ish- politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq. Radoiçiq po dyshohet se ka marrë pjesë në organizimin dhe vrasjen e Ivanoviqit.
Sipas një aktakuze të ngritur nga Prokuroria Speciale në Kosovë, Milan Radoiçiq dhe një serb tjetër i Kosovës, Zvonko Veselinoviq, ishin udhëheqësit e një grupi të organizuar kriminal përgjegjës për vdekjen e Oliver Ivanoviqit.
Në bazë të kërkesës së Prokurorisë Speciale për tërheqjen e letër-rreshtimit, Gjykata e ka aprovuar këtë kërkesë.