Telegrafi

Avokati Berisha: Kosova mund ta gjykojë Milan Radoiçiqin edhe në mungesë

Avokati, Eset Berisha ka thënë se me kodin e ri të Procedurës Penale lejohet edhe zhvillimi i procedurës penale në mungesë të personave të caktuar.

“Republika e Kosovës i ka të gjitha mundësitë për të zhvilluar hetim të mirëfilltë, në pajtim me legjislacionin penal që ka në fuqi, ta zhvillojë procedurën penale. Tanimë me kodin e ri të Procedurës Penale lejohet edhe zhvillimi i procedurës penale në mungesë të personave të caktuar, pa asnjë pengesë, dhe mund të shkojë deri në aktgjykim të formës së prerë dhe prapë të kërkojë nga INTERPOL-i ekzekutimin e atij aktgjykimi”, ka deklaruar Berisha në RTV Dukagjini.

Berisha ka thënë se gjykimin në mungesë, Këshilli i Evropës, përmes konventës së tyre e parasheh si mundësi, por jo edhe si një praktikë të mirë.

Lexo po ashtu A duhet Serbia ta ekstradojë Radoiçiqin në bazë të fletarrestimit të INTERPOL-it, avokati i tij tregon procedurat

“Këshilli i Evropës, në konventën e tyre e parasheh gjykimin në mungesë si mundësi, por jo si praktikë e mirë, e cila duhet të zhvillohet”, ka thënë tutje avokati.

Mes të tjerash, ai ka shtuar se shumë gjykime kanë dështuar si pasojë e mungesës së të akuzuarve, por me ndryshimet që ka pësuar legjislacioni penal i vendit, sipas tij, mund të bëhet gjykimi në mungesë.

Lexo po ashtu Rashiq konfirmon, INTERPOL-i ka lëshuar urdhër-arrest për Radoiçiqin

Madje, Berisha tregon se janë disa raste që Prokuroria Speciale veçse është duke zhvilluar procedura të tilla, sa i përket krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit.

Ndërsa, Kosova për të paraqitur aktakuzë ndaj Radoiçiqit, sipas avokatit Berisha, duhet fillimisht t’i mbledhë të gjitha provat materiale dhe personale, të cilat Prokuroria duhet t’i mbledhë.

Sipas tij, pas mbledhje së provave, Prokuroria i ka kompetencat të ngrehë një aktakuzë të mbështetur mirë në prova materiale dhe personale.

“Përndryshe, ngritja e një aktakuze pa prova të mjaftueshme materiale ose personale, rezulton në një aktakuzë të dobët, e cila mund të mos e kalojë testin e vërtetueshmërisë”, ka shtuar tutje avokati, Eset Berisha.