Telegrafi

Arrestimet pa urdhër të gjykatës dhe rasti i Molliqajt – flasin avokatët

Policia e Kosovës ditën e martë ka arrestuar kryetarin e Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, pasi që ai kishte sulmuar fizikisht një polic gjatë protestës kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

Për arrestimin e Molliqajt ka pasur reagime të shumta, ndërsa partia e tij, PSD akuzoi Qeverinë se është fajtore për arrestimin dhe se po tenton ta frikësojë opozitën, transmeton Telegrafin.

Avokati Arianit Koci, përmes një postimi në Facebook ka pohuar se arrestimi i Molliqaj nuk ka pasur nevojë të bëhet para kamerave.

“Policia e Kosovës e ka publikuar ftesën/vërtetimin mbi dorëzimin e thirrjes për Dardan Molliqaj. Në rregull. Po duket që procedura është respektuar. Respekt për policinë! Por, pasi që momentumi dhe situata është e ndjeshme, policia nuk na ka treguar se a ka tentuar ta thërras me telefon Dardanin. Mbi të gjitha, nuk na ka treguar pse ka pritur katër ditë, për realizimin e këtij aksioni”.

Lexo po ashtu Arrestohet Dardan Molliqaj

Koci ka shkruar tutje se, Dardan Molliqaj nuk është fshehur këto ditë.

“Unë personalisht, dje e kam parë në qendër të Prishtinë, rreth orës 12.00 – në Apartament. Pse është dashur të arrestohet para kamerave – në hyrje të TV7? A nuk kanë mundur ta arrestojnë 10 minuta më herët, në dalje të Prishtinës-rrugës për në emision; në qetësi, me efikasitet dhe pa pompë mediale? Emisioni është paralajmëruar më herët”, thotë ai.

Më tej, Koci ka shtuar se ” spektaklet nuk i duhen askujt, e më së paku policisë”.

Ndërsa, avokati Arber Jashari ka treguar nëse policia ka të drejtë ta arrestojë dikë pa urdhër të gjykatës.

“Neni 162 i Kodit të Procedures Penale thekson:

“Kur një person kapet në flagrancë gjatë kryerjes së veprës penale e cila ndiqet sipas detyrës zyrtare OSE është në ndjekje për veprën e kryer penale, policia ose çdo person tjetër është i autorizuar ta arrestojë atë përkohësisht edhe pa urdhër të gjykatës.”

Ndërsa sipas paragrafit 5 dhe 6 të nenit 165 të ketij Kodi, ndalimi policor nuk mund të kalojë dyzet e tetë (48) orë nga koha e arrestimit. Pas kalimit të këtij afati, policia e liron të ndaluarin, përveç rasteve kur gjyqtari i procedurës paraprake ka urdhëruar paraburgimin. Po ashtu,sa më shpejtë që është e mundur pas arrestimit dhe jo më vonë se gjashtë (6) orë nga koha e arrestimit, prokurori i shtetit i lëshon personit të arrestuar vendimin me shkrim mbi ndalimin.

Po flas veç per procedura, të kuptohemi”, thotë në reagimin e tij, Jashari.

Ndryshe, PSD kishte organizuar një protestë kundër shtrejntimit të rrymës ditën e shtunë, në atë protestë Molliqaj ishte parë në një moment duke goditur shuplakë një polic. /Telegrafi/