Sot janë bërë katër vjet nga vdekja e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Astrit Dehari në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, më 5 nëntor të 2016-së.
Avni Dehari në një prononcim për media pas homazheve që bëri tek varri i djalit të tij, Astriti ka thënë se edhe pas katër viteve ende nuk është zbardhur rasti i vdekjes së të birit.
Ai tha se drejtësia deri më sot jo vetëm që nuk e ka thënë fjalën e vet, por kanë bërë manipulime që ta cilësojnë rastin e Astrit si vetëvrasje.
“Sot mbushën katër vjet nga rënia e Astrit në burgun e Prizrenit. Drejtësia deri më sot jo vetëm që nuk e e ka dhënë fjalën e vet, përkundrazi kanë bërë manipulime të shumta që ta cilësojnë si akt vetëvrasës, ta fshehin të vërtetën”, ka thënë ai.
Avni Dehari po ashtu tha se si familje u detyruan që të kërkojnë ekspert nga Zvicra për zbardhjen e rastit të Astritit.
“Ne jemi detyruar për të këtë arsye që të kërkojmë ekspert nga Zvicra. E mira do të kishte qenë që tu drejtoheshim organeve të drejtësisë së Kosovës që ta bëjnë punën e vet siç duhet, por ata e bëjnë të kundërtën. Ju mund t’i kujtoni prononcimet e mjekëve ligjorë që në atë kohë bën raport dhe deklaruan se nuk është fjala për vetëvrasje por vrasje. Që të dy mjekët ligjor, Besim Ymaj dhe Besim Latifaj si dhe avokatin Tomë Gashin i kërcënuan se do t’i arrestojnë dhe do t’i dënojnë me burg për arsye se thanë të vërtetën. Ende rasti i Astrit nuk është mbyllur, vet katër vitet flasin për neglizhencën dhe papërgjegjësinë që kanë institucionet tona”, ka thënë ndër të tjera. /Telegrafi/