Neurokirurgu dhe deputeti nga LDK-ja në Kuvendin e Kosovës, Haxhi Avdyli ka thënë se sistemit shëndetësor në Kosovë i mungon reformimi i mirëfilltë dhe modernizimi.
Avdyli, në emisionin “Përballje” me Muhamet Hajrullahun në RTV Dukagjini, ka thënë se sektori i shëndetësisë nuk mund të përmirësohet me buxhetin aktual që i ka ndarë Qeveria e Kosovës.
“Me këtë buxhet nuk mund të përmirësohet sistemi shëndetësor. Qëllimi i Qeverisë paska qenë ruajtja e stabilitetit, e jo reformimi i sistemit shëndetësor”, tha Avdyli.
Sipas tij, sistemi i informimit shëndetësor ka falimentuar dhe tashmë ai është rikthyer në pikën zero.
“Problem i madh është edhe mungesa e sistemit të informimit shëndetësor. Pa u futur sistemi i informimit shëndetësor nuk mund të filloj as sigurimi shëndetësor”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Deputeti i LDK-së thotë se në sistemin shëndetësor ka nevojë për decentralizim të përgjegjësive nëpër regjione të ndryshme.
“Basri Sejdiu është drejtor i SHSKUK-së dhe ai njëkohësisht është drejtor edhe në spitalet regjionale dhe këto janë kompetenca të papërballueshme. Sistemi duhet të decentralizohet”.
Avdyli ka thënë se përpos punës së mjekëve edhe puna e infermiereve nuk duhet të injorohet.
“Ka prej infermiereve që nuk kanë mundur të mbarojnë fakultetin për shkak të rrethanave në të cilat kanë punuar në atë kohë, të gjendet mundësia edhe për to dhe të trajtohen me pagë të dinjitetshme”.
Deputeti ka thënë se në pamundësi të implementimit të Ligjit për sigurime shëndetësore, duhet të rritet buxheti për shëndetësi.
“Kosova e ka GDP-në më të ulët për shëndetësinë…Investimi në shërbime diagnostike është mëse i nevojshëm. E gjithë Kosova ka vetëm një rezonancë magnetike. Si t’i them unë pacientit eja pas shtatë muajve ta bëjmë rezonancën për të parë se nga çfarë vuan ai”, deklaroi Avdyli./Telegrafi/