Kandidati për kryeministër nga koalicioni parazgjedhor LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka thënë se liderët e partive të këtij koalicioni kanë mbajtur mbledhje.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka shkruar se në këtë takim u bë e ditur që asnjë nga partitë e koalicionit nuk do të jetë pjesë e Qeverisë ku pjesë është e Partia Demokratike e Kosovës.
“Koalicioni LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi
Pas zgjedhjeve të përgjithshme, të mbajtura të dielën, drejtuesit e subjekteve të koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi janë takuar të hënën dhe kanë e vlerësuar ecurinë e procesit zgjedhor.
Drejtuesit e koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi vlerësojnë lart dhe falënderojnë qytetarët e Republikës së Kosovës për një proces të rregullt zgjedhor, për kulturën e treguar dhe për mbështetjen që i kanë dhënë koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi.
Partnerët e koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi, pas procesit të djeshëm, presin certifikimin e rezultatit nga ana e KQZ-së, për të ditur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 11 qershorit.
Koalicioni përsërit qëndrimin e palëkundur se nuk do të jetë pjesë e asnjë qeverie, në të cilën është edhe PDK-ja.
LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi theksojnë se koalicioni është unik në të gjitha qëndrimet. Koalicioni është pajtuar që kryetari i LDK-së ta përfaqësojë këtë koalicion”, ka shkruar ai. /Telegrafi/