Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se gjatë muajit maj ka ndarë 95 mijë euro për të kompensuar zyrtarët për një punë për të cilën ata e marrin pagën e rregullt.
Hoti me anë të një shkrimi në Facebook ka thënë se nëse këta zyrtarë, në kryerjen e detyrave që iu ka ngarkuar Qeveria me vendimin e 18 prillit 2019, do të punonin më shumë se 40 orë në javë, atëherë vlejnë rregulloret për kompensim të orëve mbi normë.
“Më 23 maj 2019, Qeveria PAN ndan 95 mijë euro për të kompenzuar zyrtarët për një punë për të cilën ata e marrin pagën e rregullt. Nëse këta zyrtarë, në kryerjen e detyrave që ju ka ngarkuar Qeveria me vendimin nr.10/98 të 18 prillit 2019, do të punonin më shumë se 40 orë në javë, atëherë vlejnë rregulloret për kompenzim të orëve mbi normë. Çdo qasje tjetër lidhur me këtë çështje paraqet shkelje ligjore, të cilën auditori i brendshëm dhe auditori i përgjithshëm duhet ta evidentojnë.”, ka shkruar Hoti. /Telegrafi/