Sulmuesit të Schalkes dhe Kosovës, Donis Avdijajt, nuk po i ecën asgjë mirë në këtë fillim sezone.
Pasi që është shpallur i padëshiruar nga klubi dhe po kërkojnë një skuadër për të që me gjasë do të jetë Sturm Graz, ai është dënuar për një vepër që e kishte kryer në shtator të vitit të kaluar.
Lojtari ishte ndalur nga policia pasi ishte me telefon në dorë duke vozitur.
Ai madje i kishte ofenduar policët duke iu thënë me cinizëm se ata ishin shumë të mençur, madje sipas medieve gjermane është tallur edhe me pagën e tyre, shkruan Telegrafi.
Për këtë ai është dënuar me 40 orë punë në komunitet.
Në vitin e shkuar, sulmuesi i Kosovës kishte kaluar në dritën e kuqe, për cka ishte gjobitur edhe nga klubi, ndërsa në këtë rast kishte rrezikuar një ciklist.
Lojtari pritet që të largohet nga Schalke ku është duke u stërvitur me skuadrën e dytë, për tu bashkuar në Austri me Sturm Graz, ku ishte edhe më herët.