Tash e pesë ditë Kosova ka ndaluar importin e shpezëve nga Shqipëria, pas paraqitjes së rasteve te gripit të shpezëve në Durrës, megjithatë në vendin tonë deri tani nuk është konfirmuar asnjë rast i gripit te shpezëve.
Kështu ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi.
Thaçi ka thënë se janë në kontakte me autoritetet shqiptare për informata në vazhdimësi lidhur me përhapjen e sëmundjes.
“Bazuar në raportin e Organizatës Ndërkombëtare për Epizooti është lajmëruar prezenca e sëmundjes gripi i shpezëve, tipi H5N8 në Shqipëri – zona e Durrësit. Më datën 21.03.2022 është bërë ndalesa e importit nga shteti i Shqipërisë për regjionin e Durrësit kafshëve të gjalla (shpezëve) kjo bazuar në ligjin e veterinarisë dhe rregulloren për luftimin e kësaj sëmundje, si masë parandaluese. Po ashtu jemi në kontakte me autoritetin shqiptarë për informata në vazhdimësi lidhur me përhapjen e sëmundjes”, ka pohuar ai.
Thaçi shtoi tutje se varësisht lajmërimeve që bëhen nga Organizata Ndërkombëtare për Epizooti (OIE), AUV do të veprojnë sipas ligjit.
“Deri më tani njoftimi është në fuqi vetëm për ndalesë në një zonë të prekur të Shqipërisë. Drejtoria e Shëndetit dhe Mirëqenies së Kafshëve AUV është duke monitoruar situatën në rajon dhe vend, varësisht nga lajmërimet që bëhen në OIE, veprohet sipas ligjit. Ka pasur sasi të vogla importi të shpezëve dhe produkte nga shpezët, tani është ngritur vigjilenca në nivelet me të lartë në kontroll kufitarë veterinar”, shtoi ai.
Thaçi bëri të ditur se secila ngarkesë që mund të vije do t’i nënshtrohet kontrollit të detajuar.
“Jemi në kontakte të vazhdueshme me autoritetet shqiptare, si shtete vëllazërore dhe verifikimi për gjithçka bëhet mes dy autoriteteve, sipas praktikave të kontrollit ndërkufitar. Aktualisht nuk kemi ndonjë rast të lajmëruar në vendin tonë”, pohoi ai.
Ndryshe, Ministria e Bujqësisë në Shqipëri ka njoftuar se deri tani mbi 300 mijë shpendë kanë ngordhur.
Ministria e Bujqësisë në Shqipëri ka njoftuar se ka bërë ndalimin e shitjes dhe transportit të shpendëve të gjalla në mjediset e hapura dhe tregjet e kafshëve të gjalla në qarqet e Durrësit, Dibrës dhe Korçës ku deri tani janë konfirmuar vatra të sëmundjes së gripit të shpendëve. /Telegrafi/