Telegrafi

AUV ndalon veprimtarinë e bllokut operativ në Klinikën e Ortopedisë në QKUK

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se bazuar në të gjeturat e ekipit inspektues është urdhëruar ndalimi i përkohshëm i veprimtarisë së bllokut operativ në Klinikën e Ortopedisë.

Zëdhënësi i AUV, Lamir Thaçi ka thënë për KosovaPress, se pas pranimit të aplikimit për pëlqim sanitar të SHSKUK-së Klinikës së Ortopedisë, është caktuar një ekip inspektues për kontroll të aspekteve teknike sanitare-higjienike dhe bazuar në të gjeturat e ekipit inspektues është urdhëruar ndalimi i përkohshëm i veprimtarisë së bllokut operativë në Klinikën e Ortopedisë.

“Bazuar në Ligjin e inspektoratit sanitar dhe Ligjin për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse, nuk janë plotësuar kushtet ligjore për lejim të veprimtarisë, sipas kërkesës që është paraqitur. Hapësirat e këtij blloku operativ nuk i plotëson kushtet teknike sanitare dhe higjienike për ushtrim të veprimtarisë si sallë operative. Korridori që lidh bllokun operativ me dhomat është punuar nga materiali që nuk është higjienik. Disa nga pajisjet janë të vjetruara-dëmtuara dhe koroduara. Dyshemeja është pjesërisht e dëmtuar. Ka mungesë të ujit të ngrohtë rrjedhës. DDD nuk është kryer në të gjitha hapësirat. Nuk ka qenë i mirë pastrim gjeneral, i cili do të mundësonte nivel të mirë higjienik. Për të gjitha këto të gjeturat është njoftuar drejtori i kësaj klinike, i cili njëkohësisht është informuar me ndryshimet të cilat duhet të bëhen për t’u arritur niveli i plotësimit të kushteve për lëshim të serishëm në punë”, ka thënë ai.

Sipas Lamir Tathçit, trupa inspektuese sot menjëherë ka parë angazhimin për intervenim në rregullim të mangësive për shkak të rëndësisë që ka kjo hapësire për marrje të shërbimeve shëndetësore të qytetarëve.

Ai shtoi se gjatë gjithë kohës do ta mbajnë në monitorim përmirësimin e kushteve dhe në momentin që vlerësohet plotësimi i tyre do të bëhet riinspektimi për dhënie të pëlqimit dhe lejim të punës.