Site icon Telegrafi

AUV kryen inspektimet në shkollën ku u sëmurën katër nxënës në Istog, thonë se bëhet fjalë për infeksion viral sezonal

Inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë kanë kryer inspektimet në institucionin parashkollor në komune të Istogut, ku katër fëmijë dyshohet se u helmuan ditën e enjte.

Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi tha për Telegrafin se sot kanë kryer inspektimet dhe se nuk kanë gjetur ndonjë parregullsi në aspektin e higjienës.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë zyra regjionale Pejë dje pas orës 16:00 ka pranuar ka pranuar përmes telefonit nga Policia se në shkollën fillore ‘Martin Camaj’ në fshatin Gurrakoc, komuna e Istogut. Ka dyshime për helmim të 4 nxënësve të klasës parashkollorë. Përderisa në ato orë shkolla ishte e mbyllur. Sot janë dërguar inspektorët në vendin e ngjarjes, të cilët kanë kryer inspektim të objektit të shkollës. Ekipi inspektues nuk ka gjetur ndonjë parregullsi në aspektin e higjienës”, deklaroi ai.

Thaçi shtoi tutje se sipas konstatimit preliminar, përkeqësimi i shëndetit të fëmijëve nuk ka të bëjë me dyshim helmimi por infeksion viral sezonal.

“Në kuadër të shkollës nuk ka kuzhinë, ku mund të ushqeheshin nxënësit. Po ashtu inspektorët kanë vizituar edhe Spitalin Rajonal në Pejë, ku kanë marrë trajtim mjekësor fëmijët. Sipas konstatimit preliminar, përkeqësimi i shëndetit të fëmijëve nuk ka të bëjë me dyshim helmimi por ka të bëjë me infeksion viral sezonal. AUV do të jetë ne kontakt me mekanizmat e tjerë shtetërore shëndetësor dhe të sigurisë për të ndërmarrë secilin veprim qe kërkohet sipas mandatit ligjorë institucional”, theksoi ai.

Lexo po ashtu Fëmijët që dyshohet se u helmuan në Istog, mjeku tregon për simptomat që janë paraqitur

Telegrafi më herët ka raportuar për rastin, ndërsa Besnik Ibraj, doktor në Spitalin e Pejës deklaroi se fëmijët janë pranuar në spital ditën e enjte dhe se po vazhdon trajtimi i tyre.

“Katër fëmijë janë sjellë ditën e enjte, ne kemi ndërmarrë të gjitha masat, gjendja  e tyre për momentin është e mirë. Ata kanë pasur shenja si humbje e vetëdijes, të vjellura, temperaturë. Ne kemi lajmëruar Policinë e Kosovës dhe Komunën e Istogut lidhur me rastin, për hetime të mëtejme”, tha ai.

Lidhur me rastin nuk ka pasur ende reagime nga Komuna e Istogut. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version