Telegrafi

AUV konfiskon produkte të mishit pa afat që ishin në kompleksin “Rajska Banja” në Zveçan

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) kanë konfiskuar ushqimet që kanë qenë brenda kompleksit në “Rajska Banja” në Banjskë të Zveçanit.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi i cili tha se brenda këtij lokacioni kishte produkte dhe nënprodukte të mishit, të vendosura në frigorifer brenda kuzhinave.

“Sot AUV me kërkesë të Policisë së Stacionit të Veriut, ka dalë në inspektim për kontroll në një lokacion. Në kompleksin e një resorti kishte produkte dhe nënprodukte të mishit, të vendosura në frigorifer brenda kuzhinave. Në këtë sasi të produkteve mungonte dokumentacioni për origjinën e produkteve, e disa prej tyre nuk kishin etiketa të deklaracionit mbi datat e prodhimit dhe të skadencës. Si të tilla ekipi inspektues ka vlerësuar se nuk përmbushin kriteret ligjore për konsum. Andaj me procesverbal ka vendosur se të njëjtat duhet të asgjësohen”, ka thënë Thaçi.

Sipas tij, në momentin që të krijohen kushtet teknike dhe logjistike inspektorati do të dal së bashku me policinë të bëj asgjësimin e tyre.

Lexo po ashtu Kompleksi në Banjskë të Zveçanit i është dhënë me qira MPB-së

“Mishrat kanë qenë të vendosura në disa frigorifer të ndryshme të cilat kanë qenë pa mbikëqyrje të temperaturave dhe sasia totale do të dihet kur ata të zhvendosen për asgjësim”, theksoi Thaçi për Telegrafin.

Ndryshe, këtë objekt të martën e mori nën kontroll Agjencia Kosovare e Privatizimit me asistimin e Policisë së Kosovës.

Edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla sot tha se Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka marrë nën administrim kompleksin “Rajska Banja” në Banjskë të Zveçanit.

Sveçla ka deklaruar se kjo është mësim për të gjithë ata që duan të investojnë jashtëligjshëm se nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë. /Telegrafi/