Site icon Telegrafi

Autostrada e Gjilanit, Prishtinë-Mitrovicë dhe Kievë-Zahaq – disa nga projektet infrastrukturore që u është ndarë buxhet për vitin 2023

Foto: Ilustrim

Autostrada e Gjilanit, rrugët Prishtinë-Podujevë, Dollc-Gjakovë, Kievë-Zahaq dhe Prishtinë-Mitrovicë janë pesë projektet infrastrukturore që u është ndarë buxhet për vitin 2023.

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu në një shkrim në Facebook ka thënë se vlera totale e këtyre projekteve do të jetë 69 milionë euro.

Vlera më e madhe është ndarë për Autostradën e Gjilanit, pra 27 milionë euro, ndjekur nga projekti i rrugës Prishtinë-Mitrovicë me 21 milionë euro. Rruga Dollc-Gjakovë pritet do të kushtojë 11 milionë euro, ajo Prishtinë-Podujevë me 6 milionë euro, ndërsa Kievë-Zahaq jo më shumë e 4 milionë euro.

Ndryshe, që disa vite flitet për ndërtimin e rrugës Kievë-Zahaq, projekt ky që ka mbetur në gjysmë dhe ende nuk ka përfunduar. Në vitin 2019, Qeveria Haradinaj kishte marrë vendim për shpronësimin e pronave të paluajtshme për ndërtimin e kësaj autostrade.

Ndërkaq, Aliu në tetor të 2021-së kishte thënë se kjo rrugë do të vazhdojë, por se do të ndalen keqpërdorimet rreth shpronësimeve në këtë projekt.

“Projekti i kësaj rruge nuk ndalet. Ndalet vetëm hajnia dhe keqpërdorimet e parasë publike në shpronësim. Pra, është anuluar vetëm shpronësimi abuziv i cili kthehet në rivlerësim. Po ashtu, në vitin që vjen, është përfshirë në buxhet hartimi i projektit për modernizimin e hekurudhës Prishtinë-Pejë dhe Prizren-Klinë. Rruga Prizren-Tetovë nuk është konkurrente e rrugës Prishtinë-Pejë”, kishte thënë Aliu.

Në fund të muajit tetor, Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Buxhetin e vitit 2023, i cili pritet të jetë 3 miliardë e 212 milionë euro.

Një miliardë e 98 milionë euro janë ndarë për subvencione e transfere, 811 milionë në shpenzime kapitale, 745 milionë të tjera në kategorinë ‘ paga dhe mëditje’, dhe 493 milionë euro në mallra dhe shërbime. /Telegrafi/

Exit mobile version