Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) ka nisur hetimet ndaj Administratës Tatimore të Kosovës për mos zbatimin e Udhëzimit Administrativ 02/2018, për shfrytëzimin e pajisjeve elektronike dhe sistemeve fiskale.
AKK ka njoftuar se ka nisur hetimet pas ankesës nga një ndërmarrje e cila pretendon se, ATK, qëllimisht nuk e ka zbatuar këtë udhëzim administrativ për t’ua pamundësuar të instalojë pajisje të reja fiskale në tregun përkatës.
“Dyshimet fillestare janë se me kufizimin e ofrimit të shërbimeve të kompanive të licencuara në tregun përkatës, të pajisjeve elektronike dhe sistemeve fiskale, biznesit i privohet e drejta e zgjedhjes për marrjen e shërbimeve tek operatorët ekonomikë të licencuar. ATK me këto veprime mund të shpie tek format e keqpërdorimit të pozitës dominuese, marrëveshjeve të ndaluara apo praktikave të bashkërenduara”, thuhet në njoftimin e AKK-së.
Sipas Autoritetit, nuk ka presion të jashtëm mbi operatorët ekzistues që bëjnë biznes së bashku në tregun përkatës, prandaj edhe operatorët ekonomik nuk kanë mundësi t’i përzgjedhin pajisjet e arkave fiskale se çmimet e tyre janë të përafërta.
AKK njofton se dyshimet fillestare janë se transparenca në këtë treg është e ulët.
“Gjithashtu dyshimet fillestare janë se transparenca në këtë treg është e ulët, duke e dobësuar presionin konkurrues nga ana e kërkesës nisur nga gjendja aktuale e tregut e cila shpie në përforcimin e 2 ose 3 kompanive ekzistuese të cilat kanë fuqi të madhe në tregun përkatës. Me këtë mund të ngulfatet konkurrenca, eliminohen, largohen, dekurajohen kompanitë tjera për shkak të këtyre barrierave. Tregu është i karakterizuar me barriera/pengesa administrative për operatorët e tjerë të licencuar për t’u kyçur në ofrimin e shërbimeve, tregu është pothuajse i njëjtë, edhe pse ka pasur hapje të tregut në licencimin e operatorëve të ri”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/