Autoritetet turke kanë arrestuar nëntë persona në lidhje me zjarrin e së martës në një hotel vendpushimi skish që ia mori jetën 76 personave.
Arrestimet, të njoftuara nga Ministri i Brendshëm, Ali Yerlikaya të mërkurën, përfshinin pronarin e hotelit, me pikëpyetje të ngritura mbi masat e sigurisë në fuqi, transmeton Telegrafi.
Qeveria ka emëruar gjashtë prokurorë për të udhëhequr një hetim mbi zjarrin, i cili besohet se ka nisur në seksionin e restorantit të hotelit 12-katësh Grand Kartal, i cili ndodhet në vendpushimin e skive Kartalkaya në malet Bolu.
Autoritetet po përballen me kritika në rritje. Dëshmitarët dhe raportet kanë sugjeruar se sistemi i zbulimit të zjarrit të hotelit nuk funksionoi.
Të mbijetuarit midis 238 të ftuarve të regjistruar raportuan se asnjë alarm zjarri nuk u ndez gjatë incidentit, dhe se ata duhej të vraponin në korridoret e mbushura me tym në errësirë të plotë.
Mysafirët e hotelit përshkruan skena paniku teksa iknin dhe hidheshin nga dritaret për të shpëtuar.
Yerlikaya raportoi se trupat e 45 viktimave u ishin dorëzuar familjeve të tyre, ndërsa testet e ADN-së po kryheshin për të identifikuar trupat e mbetur.
“Zemrat tona janë thyer. Jemi në zi”, u tha ministri gazetarëve jashtë hotelit.
“Por duhet ta dini se kushdo që është përgjegjës për shkaktimin e kësaj dhimbjeje nuk do t’i shpëtojë drejtësisë”, shtoi ai.
Menaxhmenti i hotelit shprehu dhimbje të thellë dhe u zotua për bashkëpunim të plotë me autoritetet për ta hetuar rastin.
“Ne po bashkëpunojmë me autoritetet për të hedhur dritë mbi të gjitha aspektet e këtij incidenti”, thuhet në një deklaratë.
“Ne jemi thellësisht të pikëlluar nga humbjet dhe duam që ju të dini se ne e ndajmë këtë dhimbje me gjithë zemër”, shtuan ata.
Ndërkohë, presidenti Recep Tayyip Erdogan shpalli një ditë zie kombëtare të mërkurën. Ngjarja ka ndodhur në pikun e sezonit turistik dimëror.
Kartalkaya, rreth 295 kilometra në lindje të Stambollit, është një nga destinacionet kryesore të Turqisë, duke tërhequr mijëra vizitorë gjatë sezonit të skijimit. /Telegrafi//