Site icon Telegrafi

Autoritetet serbe ia fshinë vulat e Kosovës gazetarit izraelit në Aeroportin e Beogradit

Një gazetari izraelit, teksa po hynte në kontrollin e pasaportave në Aeroportin Ndërkombëtarë të Beogradit, kontrolleri ia ka fshirë me laps vulën hyrëse për në Kosovë.

Këtë e ka bërë të ditur vet gazetari, Eldad Beck përmes një postimi në Facebook.

“Këtu po kaloj kontrollin e pasaportave në Aeroportin Ndërkombëtar të Beogradit. Policia kufitare kalon nëpër pasaportën time dhe fshin me penën e tij çdo vulë të hyrjes në Kosovë”, shkruan Beck.

Ai ka pyetur nëse lejohet dëmtimi i pasaportës siç ka bërë shteti serb.

“Nëse nuk gaboj, kjo është vepër kriminale. Juve nuk ju lejohet ta dëmtoni një pasaportë të huaj. Duhet të jetë një tjetër sukses diplomatik i BE-së”, ka shkruar gazetari izraelit.

Që nga viti 2002, Beck është korrespondent me bazë në Berlin i së përditshmes izraelite “Yedioth Ahronoth”, duke mbuluar Gjermaninë, Evropën Qendrore dhe BE-në.

Beck është një nga gazetarët e rrallë izraelitë që raportojnë nga vendet arabe dhe myslimane – si Irani, Siria, Iraku, Libani dhe Afganistani – për ngjarjet kryesore në Lindjen e Mesme. /Telegrafi/

Exit mobile version