Autoritetet meksikane thanë të premten se kanë zbuluar dhe sekuestruar 24 kamera vëzhgimi që dyshohet se janë vendosur nga kartelet e drogës.
Ato thuhet se janë zbuluar të fiksuara në postat telefonike dhe dritat në qytetin kufitar San Luis Rio Kolorado, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Qyteti në kufi me Arizonën ka parë vite të tëra dhune mes karteleve të drogës që luftojnë për kontrollin e pikës kufitare, ku mund të kontrabandojnë drogë.
Prokurorët në shtetin verior Sonora thanë se kamerat ishin vendosur atje nga “skifterët”, emri që përdoret zakonisht në Meksikë për vëzhgimet e karteleve të drogës që kërkojnë të monitorojnë lëvizjet e ushtarëve dhe policëve.
Trupat e ushtrisë hoqën pajisjet dhe thuhet se ato ishin kamera të zakonshme.
Ato u gjetën në tri lagje të ndryshme, madje disa u gjetën të lidhura me palma.
Por ky nuk është qyteti i parë kufitar ku kartelet kanë instaluar rrjetet e tyre të vëzhgimit.
Në vitin 2015, një kartel droge në shtetin verior të Tamaulipas përdori të paktën 39 kamera vëzhgimi për të monitoruar ardhjet dhe ikjet e autoriteteve në qytetin e Reynosa përtej kufirit nga McAllen, Teksas.
Gjatë vitit 2015, autoritetet zbuluan gjithashtu 55 antena radio komunikimi midis qyteteve kufitare të Matamoros dhe Miguel Aleman. /Telegrafi/