Autoritetet zgjedhore në Francë kanë paralajmëruar masa kundër ripublikimit të informacioneve të vjedhura nga ekipi i fushatës, të kandidatit të qendrës për president të Francës, Emmanuel Macron.
Macron do të përballet me kandidaten e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 7 maj.
Komisioni Zgjedhor, që mbikëqyrë fushatën zgjedhore, përmes një deklarate ka thënë se publikimi apo ripublikimi i këtyre informacioneve do të jetë vepër penale.
Paralajmërimi i komisionit vjen pasi fushata e Macronit ka thënë më 5 maj se ka qenë cak i një sulmi “masiv” kibernetik, ku janë publikuar në internet emaile të anëtarëve të fushatës.
Komisioni Zgjedhor ka bërë thirrje që dokumentet e publikuara të mos ripublikohen, duke shtuar se disa prej tyre mund të jenë të rrejshme dhe mund të ketë ndëshkim për këtë gjë.
Fushata e Macronit ka thënë se është goditur nga një sulm i madh “i koordinuar” kibernetik, që ka rezultuar me publikimin në internet të një liste të madhe të dokumenteve të brendshme të fushatës.
Publikimi i tyre “ndodhi në orën e fundit të fushatës zgjedhore” dhe qartazi, kishte për qëllim “destabilizimin demokratik, siç kemi parë edhe në fushatën e fundit presidenciale në SHBA”, ka thënë partia e Macroniy, En Marche!, përmes një deklarate për media.
Vjedhja e informacionit të një shkalle kaq të gjerë “është e paprecedent në fushatat zgjedhore franceze”, thuhet në deklaratë.
Ueb-faqja e Wikileaks ka postuar një link në Twitter të dokumenteve të publikuara – duke thënë se “përmban dhjetëra mijëra emaile, fotografi deri më datën 24 prill 2017”.
Wikileaks ka lënë të kuptohet se nuk qëndron prapa publikimeve të fundit, por nuk ka treguar se ku i ka marrë këto dokumente.
Dokumentet janë publikuar edhe në Pastebin, një faqe ku publikohen dokumente të ndryshme, dhe që lejon që persona të paidentifikuar t’i postojnë ato. Dokumentet e fushatës së Macronit, në këtë faqe ishin publikuar nën llogarinë e quajtur EMLEAKS.
Publikime të ngjashme të dokumenteve të Partisë Demokratike, kishte bërë Wikileaks dhe ueb-faqe të tjera, gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016 në SHBA. Agjencitë e Inteligjencës amerikane kanë thënë se prapa publikimit të tyre qëndrojnë hakerët që thonë se punojnë për Qeverinë ruse.
Emmanuel Macron e ka bërë të qartë se nëse zgjidhet president do të përkrahë sanksionet e BE-së ndaj Moskës për krizën në Ukrainë, ndërkaq, kundërshtarja e tij, Le Pen, që kërkon që vendi të dalë nga BE-ja, ka thënë se mbështet heqjen e sanksioneve dhe përmirësimin e marrëdhënieve me Rusinë.
“Dokumentet që po qarkullojnë janë vjedhur disa javë më parë si pasojë e hakimit në të dhënat dhe emailit zyrtare të zyrtarëve të partisë”, dhe më pas janë publikuar më 5 maj, kur dhe përfundon fushata zgjedhore, ka thënë fushata e Macronit.
Shumica e dokumenteve duket se janë autentike, ka thënë fushata, por ka shtuar se “këtyre dokumenteve u janë shtuar dokumente false në mënyrë që të mbjellin dyshime dhe dezinformata”.
Sipas fushatës së Macronit, rrjedhja e këtyre dokumenteve në publik, është bërë me qëllim që të rriten mundësitë e kundërshtares së Macron, Marin Le Pen në zgjedhjet presidenciale.
“Qëllimi, i atyre që qëndrojnë prapa këtyre publikimeve, siç sugjerojnë të gjitha dëshmitë, është që ta lëndojnë partinë En Marche!, disa orë para raundit të dytë të zgjedhjeve”, ka thënë fushata e kandidatit të qendrës.
Pavarësisht publikimeve, sipas fushatës së Macron, dokumentet që kanë dalë në opinion, nuk kanë ndonjë përmbajtje që potencialisht mund të dëmtojë kandidatin e tyre.
Në shkurt, fushata e Macronit tha se është sulmuar nga hakerët dhe në atë kohë fajësoi një grup hakerësh që veprojnë jashtë Rusisë apo në Ukrainë.
Rusia në vazhdimësi ka mohuar për çfarëdo ndërhyrje në zgjedhjet franceze.
Ministria e Brendshme franceze ka refuzuar që të komentojë për këtë rast, duke cituar ligjet franceze që ndalojnë komentimin e çfarëdo ngjarjeje që mund të ndikojë në zgjedhje, një ditë para votimit.