Edhe investitorët austriakë vazhdojnë të interesohen për investime në tregun e Kosovës. Një grup i tyre gjatë ditës së sotme kanë vizituar Aleancën Kosovare të Bizneseve, ku janë informuar nga kryetari Agim Shahini për të gjitha çështjet nëpër të cilat duhet kaluar një biznes në vendin tonë.
Kryetari Shahini, siç njoftoi AKB-ja, ka thënë se Kosova ka bërë reforma mjaft të mira të ligjeve në fushën ekonomike, por të cilat duhet të jenë edhe më mëdha.
“Zhvillimi ekonomik, është prioritet në Kosovë, pasi që dihet se gjendja është jo e mirë dhe duhet rritur ekonomia. Investitorë nga vende të ndryshme janë të interesuar të vijnë e investojnë në vendin tonë”, ka thënë Shahini.
Sipas tij, Kosova është një vend i vogël, por me potenciale dhe mundësi të shumta për investime dhe vendi vazhdon të ofrojë kushtet më të mira dhe taksat më të ulëta në rajon për bërje të biznesit.
“Prodhimtaria vendore mbulon vetëm 12 për qind të tregut, ndërsa importi arrin në 88 për qind dhe për këtë duhen investime. Po ashtu vendi ka popullatën më të re, të aftë për punë dhe më të lirën në rajon, ndërsa edhe siguria e investimeve të huaja në vendin tonë është e lartë”.
Kryetari i AKB-së, ka thënë se kanë krijuar në bashkëpunim me institucionet dhe asociacionet e bizneseve edhe Zyrën e Komunitetit të Biznesit në Kuvendin e Kosovës, të cilën e kryeson dhe e cila është e para e këtij lloji dhe model për rajonin.
“Krijimi i kësaj zyre është edhe një hapë tjetër i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe thithjen e investimeve të huaja, ku sikur bizneset vendëse ashtu edhe ato të jashtme mund të informohen jo vetëm për legjislacionin, por edhe për gjëra që kanë të bëjnë me fushë veprimtarinë e tyre dhe mund shprehin shqetësimet e tyre që kanë dhe ku mund të zgjidhen problemet”, ka thënë Shahini.
Siegfried Kohler, kryesues i delegacionit nga Austria, ka thënë se janë shumë të interesuar që vijnë në avancimin e teknologjisë prodhuese e cila do të mund të gjente treg, për arsye se janë të vetmit që merren me prodhimin e teknologjisë për secilën fushë, sidomos në atë të sektorit të përpunimit të plastikës dhe ambalazheve, trajnime dhe edukim për përdorimin e teknologjisë.
Kjo kompani tregoi se ka rreth 2500 të punësuar me një qarkullim rreth 250 milionë euro dhe ka shtrirje në gjithë globin.
“Kosova ka shumë mundësi që të furnizohet me teknologji të avancuar sesa vendet tjera të rajonit, sepse këtu fillon prodhim i ri dhe vendet tjera kanë teknologji të vjetruara dhe jashtë standardeve dhe që vendi juaj e ka këtë përparësi primare”, ka thënë biznesmeni Kohler, duke shtuar se Kosovën e shohin si treg të rëndësishëm për tërë rajonin.
Kjo teknologji e re mund të merret nga prodhuesit kosovarë me kushte që janë të negociueshme në çfarëdo forme e që kompania është e gatshme t’u ofrojë kushte të volitshme dhe kjo është një mundësi e mirë për zëvendësimin e teknologjisë së vjetër, thuhet në komunikatën pas takimit. /kp/