Pas fitores që Austria arriti në miqësoren ndaj Shqipërisë me rezultatin 2-1, nuk munguan edhe komentet për simbolet e shfaqura në stadiumin ‘Ernest Happel’ të Vjenës.
Gazeta austriake “Heute” ka publikuar një video në të cilin shfaqet i njëjti baner si në stadiumin e Beogradit, në ndeshjen e kaluar Serbi-Shqipëri.
“Një tifoz futi në mënyrë të paligjshme në ndeshjen miqësore mes Austrisë dhe Shqipërisë flamurin e ‘Shqipërisë së madhe’. I njëjti flamur që shkaktoi trazirat në stadiumin e Beogradit”, shkruan gazeta austriake.
Tifozi thuhet se shmangu kontrollet e rrepta të policisë në stadiumin dhe valviti flamurin që mbante në duar para dhe gjatë ndeshjes, përcjell panoramasport.
Përtej këtij rasti, gazeta austriake shkruan se nga krahu i tifozëve shqiptar u hodhën edhe kapsolle.
Ndërkaq, edhe pse humbi në miqësoren e parë, Kombëtarja shqiptare e futbollit u mbështet nga rreth 7-8 mijë tifozë kuqezi në Vjenë.