Telegrafi

Austria mbështet MASHT-in për ngritjen e cilësisë në të gjitha nivelet e arsimit

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka takuar ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler.

Këtë e ka bërë të ditur vet ministri Bytyqi përmes një shkrimi në rrjetin social.

Gjatë takimit me ambasadorin Pfandler, është biseduar për bashkëpunimin në arsim mes dy vendeve, për projektet në proces dhe mundësitë për bashkëpunim në projekte të reja.

“Bashkëbiseduam edhe për projektet e përbashkëta, të cilat janë në proces, siç është projekti ALLED, që do të ndihmon shumë në zhvillimin e shkollave profesionale dhe projektin HERAS, projekt ky që po e ndihmon MASHT-in në procese të rëndësishme në arsimin e lartë në Kosovë”, ka shkruar Bytyqi.

Gjatë takimit, ambasadori Pfandler theksoi se Austria do të vazhdojë ta mbështesë Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në synimet e saj për ngritjen e cilësisë në të gjitha nivelet e arsimit. /Telegrafi/