Site icon Telegrafi

Austria me kontrolle kufitare me Slloveninë dhe Hungarinë

Austria ka shtyrë afatin për kontrollet kufitare në Slloveni dhe Hungari për të paktën gjysmë viti që nga mesnata.

Bëhet fjalë për kontrolle që u futën gjatë valës së emigrantëve në vitin 2015 dhe dekreti për zgjatjen e afatit është nxjerrë nga ministri i Brendshëm, Gerhard Karner dhe ai hyn në fuqi në mesnatë dhe është i vlefshëm deri më 11 nëntor.

Si arsye për vazhdimin e kontrollit kufitar brenda zonës Shengen, Austria përmendi migrimin dytësor, i cili përfshin transferimin e refugjatëve nga një vend i BE-së në tjetrin, si dhe mbrojtjen e kufijve të jashtëm të Bashkimit Evropian.

Përveç kësaj, Vjena pretendon se ekziston rreziku i terrorizmit dhe krimit të organizuar.

“Sfidat për sigurinë e brendshme të Evropës janë të mëdha për shkak të situatës aktuale. Sidomos për shkak të luftës në Ukrainë, trafikimi i qenieve njerëzore është në rritje dhe për këtë kemi nevojë që të mbrojmë më fortë kufirin e jashtëm”, thuhet në shpjegimin e dërguar te Komisioni Evropian.

Austria po zgjeron kontrollet kufitare, megjithëse Gjykata Evropiane vendosi në fund të muajit prillit se kontrolle të tilla mund të zgjateshin vetëm në rast të një kërcënimi të ri serioz. /Telegrafi/

Exit mobile version