Site icon Telegrafi

Austria ka probleme me sektorin e hotelerisë: S’kanë punëtorë!

Tregu austriak i punës ka mungesë të stafit në industrinë e hotelerisë, njoftoi sot Shërbimi i Punësimit austriak (AMS), duke specifikuar se në gjysmën e parë të këtij viti janë kërkuar 14.259 kamerierë, 10.227 kuzhinierë dhe 5.091 asistentë kuzhinierë.

Gjithashtu, kërkesë e madhe për punëtorë është edhe në fushën e pastrimit të ndërtesave (9.598), paketimin e mallrave (7.574), ndihmës punëtorë (5.995), si dhe për punëtorë në depo (4.788), transmeton Telegrafi.

Presidenti i Dhomës të Tregtisë së Austrisë, Christoph Leitl, kohët e fundit ka deklaruar se nuk mund t’i kuptojë artikujt e gazetave për mbyllje të kafeve, sepse nuk ka punëtorë që dëshirojnë të punojnë gjatë fundjavës.

“Me sa duket diçka nuk është në rregull në vendin tonë”, theksoi ai, duke shtuar se sigurisht bëhet fjalë për të ardhura materiale të pamjaftueshme.

Presidenti i sindikatës “Vida”, Gottfried Winkler, ka konfirmuar se me të vërtetë gastronomia ka probleme, ndërsa arsyeja e vërtetë qëndron tek kushtet e këqija të punës.

“Për sa kohë që në industrinë hoteliere dhe gastronomi rrogat janë nën mesataren, ku të ardhurat bruto janë rreth tetë euro për orë, nuk befasohem për mungesën e fuqisë punëtore në industrinë e turizmit”, theksoi ai.

Nga 1 maji i këtij viti, të punësuarit në hotele dhe industrinë e hotelerisë ligjërisht duhen të kenë të ardhura minimale bruto prej 1400 euro në muaj. /Telegrafi/

Exit mobile version