Nga sot shtetasit e Shqipërisë mund tё udhёtojnё drejt Austrisё pёr çfarëdo arsye, pёrfshirё edhe turizёm.
Lajmi është bërë i ditur nga Aeroporti Ndërkombëtar Nënë Tereza. Për të udhëtuar drejt Austrisë nuk është më i nevojshëm testi negativ i COVID apo kryerja e një vaksine. I vetmi detyrim është që qytetarët që udhëtojnë në Austri duhet të kenë maskë tip maska FFP2.
Kufizimet janë hequr edhe në udhëtimet drejt Holandës. Ambasada shqiptare në Hagë njofton se nga dita e sotme 24 qershor, qytetarët nga Shqipëria do të mund të udhëtojnë lirisht në Holandë pa pasur nevojë për një test apo karantinim.
“Që prej ditës së nesërme, do të lejohet lëvizja e lirë për të gjithë shtetasit shqiptarë, jo vetëm për rezidentët shqiptarë në BE, apo për arsye specifike. Shtetasit shqiptarë mund të udhëtojnë lirisht drejt Holandës edhe për qëllime turistike. Të gjithë shtetasit shqiptarë që udhëtojnë drejt Holandës nuk kanë detyrimin të paraqesin testin PCR apo antigjen në destinacion. Gjithashtu nuk është e detyrueshme karantina për udhëtarët të cilët udhëtojnë nga RSH në Holandë, pasi konsiderohet vend me rrezikshmëri të ulët infektimesh”, shkruhet në njoftimin e ambasadës. /Telegrafi/