Site icon Telegrafi

Australia me ndihmën më të madhe ushtarake për Ukrainën

Qeveria e Australisë ka shpallur paketën më të madhe me ndihma ushtarake për Ukrainën, në vlerë të 250 milionë dollarëve.

Bëhet e ditur se paketa përfshin raketa të mbrojtjes ajrore, armë ajër-tokë dhe antitank, municione për artileri, mortaja, topa dhe armë të vogla.

Ndërkohë, një ushtarakes australiane dhe bashkëshortit të saj të akuzuar për spiunazh për Rusinë u është mohuar lirimi me kusht.

Kira Korolev, 40 vjeç dhe Igor Korolev, 62 vjeç, janë operativët e parë të dyshuar që akuzohen sipas ligjeve të modernizuara të spiunazhit, të miratuara në vitin 2018, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.

Komisioneri i policisë federale australiane, Reece Kershaw, tha se çifti dyshohet se “kanë punuar së bashku për të siguruar qasje në materialet e Forcave të Mbrojtjes së Australisë”, që lidheshin me interesat kombëtare të vendit.

“Ne pretendojmë se ata e kërkuan atë informacion me qëllimin për t’ia ofruar autoriteteve ruse. Nëse ai informacion u dorëzua mbetet një fokus kryesor i hetimit tonë”, deklaroi policia.

Çifti nuk u paraqit personalisht në Gjykatën në Brisbane, por u përfaqësua nga avokatë.

Siç raportohet, akuza mbart një dënim të mundshëm maksimal prej 15 vitesh burg nëse shpallen fajtor.

Ata nuk pranuan akuzat dhe do të paraqiten në një gjykatë federale më 20 shtator.

Ndryshe, Australia dëboi në heshtje një rrjet të madh spiunazhi rus që përfshinte personelin e ambasadës dhe konsullatës, si dhe operativë të tjerë që përdornin identitete të fshehta. /Telegrafi/

Exit mobile version