Pasagjerët në një aeroplan të nisur nga Australia drejt Kuala Lumpurit kanë përjetuar momente paniku në bord. Shkak ishte përplasja e shpendëve në aeroplan, duke i shkaktuar dridhje aeroplanit.
Telashet e fluturimit “D7 207” të “AirAsia X”, i cili transportonte 359 vetë, nisën pak pas ngritjes në ajër nga Bregu i Artë.
Pasagjerët thonë se nisën të dëgjonin zhurma të forta e panë shkëndija të dilnin nga njëri prej motorëve. Fatmirësisht, mjeti arriti të kthehej mbrapsht e të ulej në Brisbane një orë më vonë, raporton KP. Reagimi i shpejtë i pilotit dhe pjesëtarëve të tjerë të ekuipazhit është lavdëruar nga drejtuesit e linjës ajrore.
Javën që shkoi, një tjetër avion i “AirAsia X” u shtrëngua të kthehej mbrapsht në Perth pas një problemi në motor, që e kishte bërë mjetin fluturues të shkundej dhunshëm si “të ishte një lavatriçe”.