Drejtori i Interit, Piero Ausilio, ka reaguar ndaj deklaratave të Wanda Naras duke thënë se Nerazzurrët i kanë bërë ofertë për kontratën e re Mauro Icardit para dy muajsh dhe ai nuk e ka pranuar.
Kundërthëniet nisën pasi gruaja e sulmuesit, e cila është njëherësh agjentja e tij, ka thënë se argjentinasi është shumë larg kontratës së re me zikaltrit.
Wanda është shprehur e pakënaqur me mënyrën se si klubi është duke e trajtuar atë dhe bashkëshortin e saj, ndërsa ka thënë se Interi ka dashur ta shesë Icardin te Juventusi.
“Kontrata e Interit nuk ekziston. Duhet të ulem dhe të flas me ta dhe akoma nuk e kemi bërë këtë. Interi ka dashur ta dërgojë Icardin te Juventusi, por Mauro tha jo, sepse donte të qëndrojë te Interi”, ka thënë gruaja e futbollistit.
Mirëpo, gjatë një prononcimi për gazetarët italianë, Ausilio i ka komentuar fjalët e Wandas.
“Qëndrojmë pas asaj që e kemi thënë në muajt e fundit. Jemi të kënaqur me Icardin si lojtar, me atë që e ka dhënë në fushë për Interin. Ai gjithmonë merr përgjegjësi dhe nuk ka frikë nga asgjë”.
“Pjesa tjetër nuk ka rëndësi: Janë objektet zyrtare, unë jam në dispozicion të të gjithëve. Agjentja e Icardit e di ku të më gjejë, ose në zyrë ose përmes telefonit. Pjesa tjetër, rrjetet sociale, mediat, filmat për festa, nuk më interesojnë”.
“Icardi ka pranuar ofertë për kontratën e re para dy vitesh dhe ka nënshkruar. Propozimi më i fundit ishte para dy muajsh, ai e ka pranuar dhe deri më tani nuk e ka nënshkruar”.
“Kjo nuk do të thotë se nuk mund të shkojmë përpara. Ne dëshirojmë të vazhdojmë bisedimet dhe bashkëpunimin”, është shprehur Ausilio. /Telegrafi/