Me përplasje të ashpra ka nisur seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës.
Në hapësirën e foltores, deputeti Haki Abazi vendosi shiritin me mbishkrimin rrezik, kjo pasi ditën e mërkurë u publikuan disa audio-incizime të deputetes Mimoza Kusari Lila dhe Milan Radoiçiq.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se nuk do të bashkëpunojnë me LVV-në për asnjë marrëveshje përderisa e kanë në krye të partisë Mimoza Kusari Lila, transmeton Telegrafi.
“Mimoza Kusari – Lila solli në Kuvend Listën Serbe, kjo të kërkojë falje. Sepse ne nuk e kemi sjellë Listën Serbe, sepse po i shohim audio-incizimet tua me Milan Radoiçiq. Në asnjë çështje nuk do të bashkëpunojmë me ju, për asnjë marrëveshje derisa ta keni Mimoza Kusari – Lila. Kërkojmë debat për ndikimin e Radoiçiqit në Kuvend”, tha ai.
Pas kësaj, reagoi deputetja Kusari – Lila e cila tha se audio-incizimet janë të falsifikuara.
“Për keqardhje të dëgjosh shpifje, por edhe nxitje për urrejtje. Këtu duhet të jenë një ose dy argumente që PDK i ka për këtë debat. Ju keni pasur bashkëpunim me Listën Serbe, e po bëni falsifikime. E dyta kaq shumë po ju mungojnë. Ju në pamundësi për t’i pasur ata, po i thirrni bashkëpunëtoret e tyre e po bëni falsifikime. A e dini ju se Radoiçiq me Qeverinë Kurti është i përndjekur, e kurrë më nuk do të kthehet”, tha ajo.
Përplasjet po vazhdojnë./Telegrafi/