Site icon Telegrafi

Audi do të fokusohet tek luksi – çmimet do të rriten ndjeshëm

Audi ende sot konsiderohet luks i arritshëm, por në të ardhmen mund të bëhet një ekstravagancë e pastër.

Audi më i lirë i ri sot kushton rreth 25 mijë euro, ndërsa shumica e modeleve mund të kapen me çmime me pesë shifra. Kjo mund të ndryshojë ndjeshëm në të ardhmen, sugjerojnë informacionet nga një intervistë që shefi i Audisë për Britaninë e Madhe, Jose Miguel Aparicio, dha për AutoExpress.

Koncepti Grandsphere, i zbuluar në vitin 2021, la të kuptohet mundësia e hyrjes së një modeli të ardhshëm A8 në territorin e luksit, ndërsa Urbansphere hapi mundësinë për një SUV edhe më luksoz.

Audi tani po e bën pikërisht këtë, duke kërkuar që marka të perceptohet më luksoze dhe më e shtrenjtë.

“Po e rrisim nivelin sa i përket cilësisë premium, po rrisim prestigjin, dëshirueshmërinë dhe perceptimin e markës, dhe ne jemi më të interesuar për cilësinë e biznesit sesa për sasinë”, tha Jose Miguel Aparicio, shefi i ri i Audisë në Britaninë e Madhe për AutoExpress.

Aparicio është shumë i qartë kur njofton risitë në kategoritë e modeleve më të mëdha si A6 i ri, Q6 e-tron dhe Q5, që sigurisht do të sjellin dhe rritje të çmimeve.

“Po e rrisim ndjeshëm çmimin, sepse jemi më të pranishëm në këto sektorë: numri i blerësve në segmentet C dhe D, të cilëve duam t’u afrojmë, po rritet. Kjo do të thotë një rritje të konsiderueshme të çmimit, dhe për ta realizuar këtë me sukses, duhet të krijojmë një tërheqje të vërtetë për markën. Thelbi për këtë është inovacioni i produkteve, por gjithashtu duhet t’u ofrojmë një eksperiencë të shkëlqyer përdoruesve. Po flasim për një evoluim, një lëvizje drejt lart”, vazhdoi ai.

Audi është gjithashtu i vetëdijshëm se nuk duhet të kërcënojë Bentley dhe Porsche, që janë në majë të piramidës së Volkswagenit. Megjithatë, mendimet janë se ende ka hapësirë mes Audi dhe Bentley.

Një recept i tillë kemi pasur mundësinë ta shohim edhe tek marka të tjera. Në këto raste, pyetja e hapur është nëse çmimi më i lartë mund të jetë një pengesë për suksesin në treg, dhe cili do të jetë marka që do të mbushë vendin e lënë bosh (nga Audi). Ndoshta Cupra?

Për t’u rikujtuar, Audi përfundoi vitin e kaluar me një rënie prej 11.8 përqindësh. Me 1,671,218 njësi të shitura, por me një ofertë shumë më të kufizuar të modeleve aktuale, Tesla e ka kaluar Audinë. /Telegrafi/

Exit mobile version