Site icon Telegrafi

Aty u vranë ose u torturuan shumë njerëz, gjatë Luftës së Dytë Botërore – Kështjella në Mal të Zi transformohet në një hotel luksoz (Foto)

Kështjella historike ku 130 njerëz u vranë ose u torturuan gjatë Luftës së Dytë Botërore, është transformuar në një hotel luksoz

Një kështjellë e shekullit të 19-të në brigjet e Malit të Zi, i cili u përdor si burg për të burgosurit politikë gjatë Luftës së Dytë Botërore, është transformuar tërësisht në një hotel luksoz me pesë yje.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, kalaja e Mamulës në ishullin Lastavicë u përdor nga ushtarët italianë që pushtuan zonën. Ata mbanin rreth 2.000 të burgosur në fortesë, shumë prej të cilëve u torturuan.

Pas luftës, ishulli u braktis dhe kalaja u rrëzua – derisa bordi turistik i vendit ballkanik i dha një qira 49-vjeçare Orascom-it me bazë në Zvicër në vitin 2016.

Duke e zhvilluar këtë vend në një hotel, i kompletuar me 23 dhoma dhe jo vetëm, Mali i Zi shpreson të krijojë rreth 200 vende të reja pune dhe të sjellë 7.5 milionë euro në shtet gjatë 15 viteve.

Brenda hotelit, do të ketë një dhomë të veçantë përkujtimore për 130 njerëz që vlerësohen të jenë vrarë ose të kenë mbetur të uritur për vdekje gjatë luftës, si dhe një muze rreth historisë së vetë ishullit.

Ministri i Malit të Zi për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Turizëm, Branimir Gvozdenoviç, në atë kohë tha për projektin: “Unë jam i sigurt se kjo do të jetë vetëm një nga një numër projektesh që do të zbatohen në periudhën e ardhshme me qëllim mbrojtjen e trashëgimisë tonë kulturore dhe historike , duke ruajtur identitetin që karakterizon këtë zonë dhe duke ofruar një produkt tërësisht të ri turistik”.

Por aktivistët e trashëgimisë kanë kundërshtuar planet që nga fillimi, duke argumentuar se është një kamp i mëparshëm i përqendrimit dhe nuk duhet të përdoret në këtë mënyrë. /Telegrafi/

Exit mobile version