Këngëtarja e njohur shqiptare, Albërie Hadërgjonaj, është rikthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka nisur punën për një projekt të ri.
Ajo ka realizuar një këngë të re, e cila është ritmike-verore dhe do të finalizohet edhe me klip, xhirimet e të cilit përfunduan pak ditë më parë.
Në një prononcim për Telegrafin, këngëtarja Hadërgjonaj ka folur rreth këngës së saj të re, e cila është plot ritëm.
“Kënga im e re vjen me ritëm dhe përcjell shumë energji pozitive. Është një nga ato këngë që të bëjnë të kërcesh edhe kur nuk je në humor”, tha duke qeshur Albërie Hadërgjonaj për Telegrafin.
Kënga e re, ende e pa titull do të ketë tematikë dashurinë, teksa këngëtarja thotë se u dedikohet më shumë vajzave të reja.
“Teksti flet për një flirt që zakonisht të gjitha vajzat e mendojnë frikën të mos lëndohet. Është një këngë interesante, të cilën besoj se publiku do ta mirëpresë”, tha tutje Hadërgjonaj.
I veçantë do të jetë edhe klipi i këngës, i cili është xhiruar i tëri në bregdetin shqiptar, dhe ashtu sikurse kënga do të sjell atmosferë verore brenda tij.
“Xhirimet e klipit janë bërë në Vlorë dhe një pjesë në një nga resortet luksoze të Durrësit. Klipi është duke u punuar nga MAX Production, të cilët i falënderoj shumë për punën e mirë”, përfundoi Albërie Hadërgjonaj për Telegrafin.
Telegrafi ka siguruar edhe disa fotografi ekskluzive nga xhirimet e klipit të ri të këngëtares, në të cilin ajo do të shfaqet mjaft tërheqëse dhe atraktive si çdo herë.
Paraqitjet me stil dhe format trupore të saj të bëjnë të mendosh sikur këngëtarja ka bërë një “pakt” me rininë e përhershme. /Telegrafi/