Site icon Telegrafi

Atmosferë entuziaste para ndeshjes, Shkodra e veshur e tëra kuqezi

Qyteti mitik i Shqipërisë, Shkodra është veshur e gjitha kuqezi pak orë para ndeshjes me Maqedoninë, ndeshje kjo e para për eliminatoret e Botërorit ‘Rusi 2018’. Në qytetin verior vatrën e futbollit shqiptar, si kurrë më parë ndihet atmosferë entuziaste që të dhurojnë ngjyrat kuqezi.

Simbolet kombëtare mbizotërojnë në çdo rrugë të qytetit për t’u ofruar gjithçka fansave të kombëtares, ndërsa ata më fanatikët nuk ngurrojnë të ngjyrosin trupin me të kuqen dhe të zezën e Flamurit.

Forcat e rendit kanë marrë të gjitha masat për sigurimin e rendit publik, duke ndaluar qarkullimin dhe parkimin e automjeteve në rrugët që të çojnë drejt stadiumit ndërsa qetësia e mesditës thyhet disi nga këngët patriotike të tifo-grupit Plisat, që si gjithmonë është në mbështetje të kombëtares së të gjithë shqiptarëve.

Stadiumi ‘Loro Boriçi’ pas testit të kaluar në miqësoren me Marokun, është gati për një tjetër mbrëmje të madhe të futbollit shqiptar. Terreni i impiantin të Shkodrës është në kushte optimale, ndërsa tifozët kanë vërshuar drejt sporteleve me shpresën për të siguruar ndonjë biletë ende të pa-shitur.

Kuqezinjtë do të zbresin në fushë për të nisur me këmbën e mbarë një tjetër rrugëtim fantastik, drejt një kualifikimi të mundshëm në Rusi 2018.

Exit mobile version