Telegrafi

Atmosferë e mirë në stërvitjen e fundit para ndeshjes me Danimarkën, Kryeziu dhe Kololli stërvitin ndaras

Kosova e ka zhvilluar stërvitjen e fundit në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ para përballjes me Danimarkën.

Djelmoshat e Bernard Challandes në një atmosferë të mirë të grupit arritën në impiantin e Prishtinës për t’i marrë instruksionet e fundit para kësaj ndeshje miqësore.

Fillimisht Challandes i dha instruksione ndihmësit të tij Muharrem Sahitit duke i ndarë punët për të vazhduar më tej.

Zvicerani në 15 minutat e para sa ishin të hapura për media ka punuar më shumë me mbrojtësit, ndërsa mesfushorët dhe sulmuesit kanë luajtur me top.

Hekuran Kryeziu i cili nuk do të luajë ka vrapuar rreth fushës, por atij i është bashkangjitur edhe Benjamin Kololli.

Për këtë të fundit trajneri nuk ka dhënë ndonjë informacion dhe me gjasë do të jetë pjesë e lojës.

Në pjesën e mbetur të stërvitjes, trajneri do të punojë me lojtarët që do të jenë pjesë e formacionit./Telegrafi/