Telegrafi

Atmosferë e jashtëzakonshme në Gjilan, por nuk ka fitues në derbin lokal

Nuk ka sjellë fitues derbi lokal më i madh në Kosovë mes Gjilanit dhe Dritës që përfundoi pa gola 0-0.

Tifozët e të dyja skuadrave kishin mbushur shkallët e stadiumit duke krijuar një atmosferë fantastike por në fund nuk panë lojë të mirë pasi fusha ishte tejet e rënduar.

Ishte minuta e tretë e ndeshjes, kur mysafirët rrezikuan të parët në këtë takim.

Pas një harkimi të mirë në zonë nga Drilon Musaj, Astrit Fazliu tentoi me kokë por që goditja e tij shkoi jashtë portës.

Vetëm dy minuta më vonë Drita përsëri e rrezikshme kur tentimin e Bujar Shabanit e priti portieri Donat Kaçiu.

Sulmuesi ferizajas i Dritës, Astrit Fazliu u tregua i rrezikshëm përsëri në minutën e 15-të kur goditi jashtë portë edhe pse ishte në pozitë të mirë shënimi.

Rastin e parë serioz për Gjilanin e pati mbrojtësi Leutrim Bekteshi kur goditja e tij shkoi jashtë portës.

E pabesueshme ajo që ndodhi në minutën e 32-të, mesfushori Sali Kosumi goditi bukur dhe topi e kaloi edhe portierin mysafirë por që u ndal në baltën e krijuar para portave, kësisoj Gjilanit iu mohua një gol shkaku i ‘lloçit’.

Pesë minuta para fundit Lirion Leci tentoi shënimin e golit për Dritën nga gjuajtja e lirë por që goditja e tij shkoi mbi portë.

Krejt në fund të pjesës së parë, Viktor Kuka rrezikoi për Dritën por pa sukses.

Me rezultatin e bardhë 0-0 përfunduan 45 minutat e para të këtij derbi lokal.

Pjesa e dytë nisi keq për Dritën, pasi sulmuesi Astrit Fazliu u detyrua ta lë fushën pas lëndimit dhe u zëvendësua nga Kastriot Rexha.

Gjilani rrezikoi në minutën e 57-të me Rusin por që goditja e tij shkoi jashtë portës.

Në minutën e 65-të rastin më të mirë në ndeshje për Dritën e kishte Xhevdet Shabani por që goditja e tij u ndal vetëm nga shtylla.

Tre minuta më vonë futbollistët e të dyja skuadrave u përleshën mes vete pas një faulli nga Filonit Shaqiri, por që gjyqtari i qetësoi me kartonë të verdhë.
Rast tumirë për Dritën kishte edhe Kastriot Rexha në minutën e 72-të, por që priti Donat Kaçiu i vendasve.

Në minutën e 77-të, Gjilani organizoi një kundërsulm të mirë kur Betim Haxhimusa goditi bukur por priti Rexhepi i Dritës.

Rast të mirë shënimi pati edhe Fisnik Papuqi kur për pak nuk shënoi nga goditja e këndit por i vëmendshëm u tregua Rexhepi që largoi topin me vështirësi.

Deri në fund të dyja skuadrat tentuan shënimin e golit por një gjëje të tillë nuk ia arritën dhe ndeshja përfundoi pa gola 0-0.

Kësisoj Drita e mbyllë stinorin vjeshtor në pozitën e tretë me 30 pikë të tubuara pas 18 javëve, katër më pak se lideri Llapi.

Ndërkohë Gjilani mbetet në pozitën e tetë me 26 pikë të grumbulluara. /Telegrafi/