Atletico Madrid dëshiron të mbajë në pankinë Diego Simeonen përtej vitit 2018.
Sipas asaj që publikohet në median spanjolle, tashmë drejtuesit e Los Colchoneros kanë nisur bisedimet me trajnerin argjentinas për ta bindur atë që të vazhdojë të jetë pjesë e klubit iberik.
Rezultatet e shkëlqyera të viteve të fundit të Atleticos nën drejtimin e Simeones kanë bërë që drejtuesit e kësaj skuadre të mendojnë për një kontratë me të deri në vitin 2020.
Për këtë arsye, drejtuesit e klubit bardhëkuq janë gati të bëjnë çdo sakrificë për të vënë në dispozicion të Simeones lojtarët më të mirë, në mënyrë që Atletico të vazhdojë të jetë një rival i fortë për Realin e Madridit dhe Barcelonën, transmeton TCh.
Mësohet se Diego Costa është shumë pranë rikthimit te Atletico, ndërkohë që pritet edhe ardhja e Vitolos, por që të dy këta lojtarë për gjashtë muaj nuk do të mund të luajnë për shkak të bllokimit në tregun e transferimeve të Atleticos.
Për më tepër, Atletico do të kërkojë rinovimin e disa prej elementëve më të rëndësishëm të skuadrës për vitet e ardhshme dhe askush nuk është në gjendje ta bëjë më mirë këtë sesa Simeone.