Atletico Madrid është duke përgatitur një transferim të dyfishtë nga rivali lokal Real Madrid.
Skuadra bardhekuqe nga Madridi po planifikon transferimin e sulmuesit Mariano Diaz dhe të mesfushorit James Rodriguez nga Reali.
Diego Costa pritet të largohet në verë nga Atletico, derisa Diego Simeone ka kërkuar nga drejtuesit e klubit transferimin e Mariano Diaz për ta zëvendësuar spanjollin.
Ndërkohë sa i përket repartit të mesfushës, Atletico prej kohësh interesohet për afrimin e kolumbianit James Rodriguez.
Të dy lojtarët, si Mariano Diaz ashtu edhe James Rodriguez nuk bëjnë pjesë në planet e trajnerit Zinedine Zidane dhe janë nxjerrë në shitje nga Reali.
Drejtuesit e dy klubeve pritet të fillojnë bisedimet për dy lojtarët, të cilët mund të ndërrojnë në verë skuadër, por jo edhe qytet.
Reali e vlerëson kolumbianin James Rodriguez 50 milionë euro, ndërsa për sulmuesin nga Republika Domenikane kërkojnë 30 milionë euro.
Gjithsesi Atletico synon që të ulë çmimet e lojtarëve, por sipas medieve spanjolle një marrëveshje mes dy klubeve duket më se e mundshme. /Telegrafi/