Telegrafi

ATK sqaron se ndryshimet tatimore aplikohen nga gushti, qytetarët përfitojnë 6.8 euro më shumë në pagë

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar se do të fillojë zbatimi i shkallëve të reja për tatimin në të ardhurat personale, duke filluar nga periudha tatimore e gushtit 2024.

Ky ligj, i cili përfshin ndryshime dhe plotësime në ligjet që rregullojnë shumën e beneficionit në bazë të pagës minimale dhe procedurat e caktimit të saj, sjell edhe ndryshime në shkallët tatimore të përcaktuara për tatimin në të ardhurat personale.

ATK ka theksuar rëndësinë e përmbushjes së saktë të detyrimeve tatimore nga tatimpaguesit dhe ka njoftuar se sistemi elektronik EDI do të përditësohet me kohë për të reflektuar këto ndryshime.

Duke filluar nga paga e muajit gusht 2024, deklarimi dhe pagesa e tatimit do të bëhet sipas shkallëve të reja tatimore, duke siguruar përputhshmëri me legjislacionin e ri në fuqi.

“Me qëllim që të përmbushni saktë detyrimet tatimore, Administrata Tatimore e Kosovës ju njofton se aplikimi i shkallëve të reja për tatimin në të ardhura personale do të filloj nga periudha gusht 2024. Pra, deklarimi dhe pagesa e tatimit në paga për pagat e muajit gusht 2024 do të kalkulohet sipas shkallëve të reja tatimore të përcaktuara me Ligjin Nr. 08/L-142”, ka njoftuar ATK.

ATK ditë më parë kishte njoftuar se për shkak të tatimit të ndryshuar, në paga do të dalin 6.8 euro më shumë për të gjithë të punësuarit./Telegrafi/