Telegrafi

ATK shpreson ta tejkalojë planin për 15%

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), sivjet pritet tejkalojë planin sa i përket grumbullimit të të hyrave për buxhetin e shtetit, ndonëse nga 1 korriku do të fillojë të zbatohet ligji i ri për TVSH-në. Kështu thotë drejtori i ATK-së, Behxhet Haliti, i cili e përmbyll mandatin muajin e ardhshëm.
Ai në një intervistë për radio Kosovën, flet për të arriturat dhe vështirësitë e këtij institucioni gjatë gjashtë vjetëve të menaxhimit, por edhe sfidat që e presin drejtorin e ardhshëm.

Administrata Tatimore e Kosovës gjatë këtij viti parashihet të grumbullojë rreth 345milionë euro të hyra nga tatimet dhe rreth 145 milionë kontribute pensionale.

Drejtori i këtij institucioni, Behxhet Haliti thotë se do ta tejkalojnë planin e paraparë me buxhet, pavarësisht se kjo varet edhe nga të hyrat e njëhershme që parashihen nga arkëtimi i borxheve të ndërmarrjeve shoqërore që janë obligim i Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

“Nëse nuk funksionalizohet bordi dhe nuk merret vendim në drejtim të përmbushjes së atyre obligimeve, atëherë për atë pjesë mund të jetë plani i mangët siç ka mbetur edhe vitin e kaluar. Ndërsa pjesa që varet prej ATK-së dhe si zotim i joni është që minimumi trefish deri katërfish, që do të thotë se nëse rritja ekonomike është tre për qind, atëherë ATK-ja do të realizojë rreth 15 për qind më shumë se gjatë vitit të kaluar. Dhe trendët deri më sot janë 14 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2014”, thotë Haliti.

Zyrtarët e Administratës Tatimore janë të përgatitur dhe do të menaxhojnë me sukses ndryshimet e parapara me pakon e re fiskale, sidomos me ligjin e ri të TVSH-së, që përfshin ndryshim të shkallëve tatimore, thekson Haliti.

“Duke pasur parasysh që para vetes kemi edhe zhvillimin e disa projekteve tjera siç është fatura elektronike e TVSH-së dhe sistemin e ri të teknologjisë informative, për të cilin përgatitjet i kemi bërë brenda këtyre dy viteve dhe tash jemi në hapin e parë të fillimit të zbatimit nga vjeshta e këtij viti e tutje, që do të krijohet një platformë e cila do të mbështetë nevojat e administratës tatimore dhe komunitetit të tatimpaguesve, por edhe institucioneve të Kosovës për një periudhë për dy dekadat e ardhshme dhe do të sigurojë menaxhimin sipas parimeve të një administrate moderne të të hyrave”, thekson ai.

Sa i përket shtrirjes së aktivitetit në veri, Haliti thotë se vitin e kaluar falë një procesi negociues që është zhvilluar në Bruksel por edhe zyrës në veri, është rritur numri i tatimpaguesve që kanë marrë numër fiskal, të cilët çdo ditë e më shumë kërkojnë këshilla për përmbushjen e obligimeve tatimore.
“Ende nuk është në atë masën e kënaqshme, ne kemi rekrutuar edhe stafin që do të japë shërbime në gjuhën serbokroate por njëkohësisht edhe të gjitha broshurat, fletëpalosjet, udhëzimet dhe seminaret i mbajmë në gjuhën e tatimpaguesit në mënyrë që hap pas hapi edhe ajo pjesë e Kosovës të mbulohet në plotëni në harmoni me procedurat ligjore”, shprehet Haliti.

Haliti thekson se me planin e qeverisë aktuale 2015-2018, një prej objektivave është edhe unifikimi në një agjenci të vetme i të hyrave të administratës tatimore dhe doganave të Kosovës.

Ndryshe drejtori i ATK-së Behxhet Haliti muajin e ardhshëm rrumbullakon gjashtë vjet në krye të ATK-së. Pas mbarimit të këtij mandati, ai ka shprehur interesim për pozitën e njërit prej anëtarëve profesionalë të Bordit të Trustit Pensional, ku vlerëson se me përvojën e tij mund të japë kontribut në të ardhmen. Ndërkohë thekson se sfidat për drejtorin e ri janë zhvillimi i projektit të modernizimit të teknologjisë informative, dhe menaxhimi i ndryshimeve gjatë procesit të unifikimit me agjencinë e doganave. /Telegrafi/