Telegrafi

ATK-ja shqipton gjobën 10 mijë euro për kuponë fiskalë

Inspektorët e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) i kanë shqiptuar gjobë prej 10 mijë eurove restorantit “Rings”, në Prishtinë.

Kjo është shuma më e lartë që ky institucion mund t’ia shqiptojë një tatimpaguesi për kuponët dhe arkat fiskale. Administrata Tatimore nuk është përgjigjur nëse ka shqiptuar gjobë të tillë edhe ndaj tatimpaguesve të tjerë, shkruan sot Koha Ditore.

Është pyetur specifikisht sesa gjoba të tilla u janë shqiptuar, ta zëmë, bizneseve të karburantit që qarkullojnë miliona euro në vit, por nuk është përgjigjur.

E janë pikërisht naftëtarët ata që kanë arritur që të ndalin procesin e fiskalizimit të dizajnuar ekskluzivisht për të kontrolluar shitjen naftës. Shumë nga ta nuk lëshojnë as kuponë fiskalë.

Madje, për shkak të ndikimit të madh politik, ky komunitet i biznesit është i vetmi që është mirëkuptuar për ankesat e tyre nga institucionet qeverisëse.

Në ankesën që pronari i “Ringsit”, Ilir Meçani, e ka bërë në Departamentin e ankesave të ATK-së, ka thënë se inspektori qëllimisht ka bërë shkelje të procedurës administrative, duke e gjobitur për moslëshim të kuponëve fiskalë. /Telegrafi/