Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), kishte bërë plan të brendshëm, që gjatë vitit 2014, të pajiseshin me arka fiskale afro dhjetë mijë biznese me arka fiskale për herë të parë, por këtë plan ka dështuar ta realizojë pothuajse në 80 për qind.
Nuk ia ka dalë të pajisë me arka fiskale më tepër se 2.091 biznese gjatë tërë vitit 2014. “Koha Ditore” posedon dokumente zyrtare të ATK-së që e dëshmojnë mosrealizimin e planifikimeve, posaçërisht kur bëhet fjalë për pajisjen me arka fiskale të bizneseve të mëdha.
Sipas këtij dokumenti, del se Administrata Tatimore e Kosovës ka planifikuar që në 2014-n të pajisë 188 biznese që i takojnë Departamentit të Tatimpaguesve të Mëdhenj (DTM) me arka fiskale, por gjatë tërë vitit ka fiskalizuar vetëm 6 prej tyre.
Zyrtarë të ATK-së kanë thënë se mospërmbushja e planit ka rrjedhur si pasojë e një “pezullimi të përkohshëm” që ka ndodhur gjatë disa muajve të vitit të këtij aktiviteti.
E mospajisja me arka fiskale e shumë bizneseve, përderisa disa të tjera kaherë janë obliguar t’i instalojnë ato, ka bërë që konkurrentët në treg të mos ndihen të barabartë. Bizneset që nuk kanë arka fiskale janë shumë më të lirë, që në baza vullnetare të deklarojnë shitjen e mallit, përderisa shitja përmes arkave fiskale deklarohet në mënyrë automatike në ATK. /Telegrafi/