Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj ka pritur sot në takim drejtorin menaxhues të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Valon Tolaj me bashkëpunëtorët e tij.
“Në këtë takim u diskutua për bashkëpunimin e deritashëm, si dhe thellimin e bashkëpunimit mes ATK-së dhe AKP-së, me qëllim të rritjes së efikasitetit gjatë proceseve të punës.
Drejtuesit e dy institucioneve e vlerësuan lartë bashkëpunimin e deritashëm, në funksion të zbatimit të marrëveshjes së bashkëpunimit, zhvillimit të procedurave adekuate ligjore, në trajtimin e kërkesave për lirimin dhe transferimin e barrës tatimore të ndërmarrjeve shoqërore (NSh), nga regjistri i pasurive kadastrale në llogarinë e fondit të mirëbesimit, ofrimin e të dhënave për shitjen e pasurive të ndërmarrjeve shoqërore (NSh), si dhe shlyerjen e borxheve tatimore të ndërmarrjeve që janë nën autoritetin e AKP-së”, thuhet në njoftimin për media.
Të dyja palët u pajtuan që të angazhohen në ruajtjen dhe rritjen e bashkëpunimit në mes këtyre dy institucioneve, në funksion të transparencës dhe efektivitetit të shërbimeve, zbatim të barabartë dhe të njëtrajtshëm të ligjit, si dhe një angazhim për kushte më të mira për veprimtarinë e përmbushjes tatimore. /Telegrafi/