Telegrafi

Atentati në Krujë, RENEA-FNSH zbarkojnë në Tapizë dhe Nikël, shoqërohen disa persona

Forcat speciale RENEA dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) kanë zbarkuar mëngjesin e së premtes në zonën e Tapizës dhe Niklës në Fushë-Krujë, në kuadër të veprimeve për atentatin në Larushk të Krujës, ku humbi jetën Ramazan Sino dhe u plagosën dy fëmijët e Gentjan Bejtjas, i cili ishte objektivi i atentatit.

Mësohet se në Tapizë dhe Nikël kanë qenë dy furgonë të RENEA-s dhe FNSH-së dhe sipas informacioneve paraprake, janë shoqëruar disa persona.

Valter Bami u arrestua mbrëmjen e djeshme, pasi akuzohet për atentatin në Larushk të Krujës. Teksa dha dëshminë e parë, Bami mohoi të kishte lidhje me ngjarjen, duke thënë se në ato momente ai po qëndronte në shtëpinë e tij.

Mirëpo, burime nga policia thonë se janë të bindur që 37-vjeçari ka qëlluar atë natë në Larushkë. Evidentimi i shenjave të barutit është bërë në mikroskop elektronik, që ka qenë vendimtar për nxjerrjen e urdhër arrestit për Bamin.

Deri më tani ka vetëm një akuzë ndaj tij, atë të armëmbajtjes pa leje. Në dorën e majtë të Valter Bamit janë gjetur shenja baruti, tregues ky që shton dyshimet se qëndron pas kryerjes së krimit./Telegrafi/