Telegrafi

Atentati ndaj shqiptarit në Greqi, identifikohen autorët

Policia greke ka zbardhur atentatin me armë ndaj një 34-vjeçari shqiptar në Greqi, e ndodhur më 2 shkurt 2024 në zonën e Votanikos, në Athinë.

Tre persona janë identifikuar si autorë të dyshuar të cilët janë shpallur në kërkim nga policia greke. Ata janë dy 20-vjeçarë dhe një 18-vjeçar, të gjithë shqiptarë.

Autoritetet greke thonë se njëri prej 20-vjeçarëve kishte konflikt me të plagosurin për një çështje parash, raportojnë mediat greke.

Në orët e para të mëngjesit të 2 Shkurtit, autori që ishte në makinës së bashku me dy bashkëpunëtorët e tij, ju afrua 34-vjeçarit shqiptar dhe e qëlloi disa herë me pistoletë. 34-vjeçari mori 3 plumba dhe mbeti i plagosur. Ndihma e parë ju dha në vendngjarje nga oficerë të policisë, që rezultoi të ishte efikase për shpëtimin e jetës.

Gjatë hetimeve për këtë ngjarje, policia greke sekuestroi më 15 Shkurt në një zonë të Athinës një pistoletë me karikator me 2 gëzhoja dhe një biçikletë, që sipas shtypit grek, i përkasin të dyshuarit 20-vjeçar.

Ky i fundit, së bashku me dy personat e tjerë që kanë qenë në makinë me të, janë shpallur në kërkim dhe dyshohet të jenë larguar nga vendi./Tv Klan