Telegrafi

Atentat ndaj dy të rinjve në Vlorë, humb jetën 22 vjeçari

Qyteti i Vlorës është tronditur rreth orës 01:10 të mëngjesit, ku një person ka mbetur i vdekur dhe një tjetër është plagosur pasi janë qëlluar me armë nga persona të paidentifikuar.

Sipas njoftimit të policisë 22-vjeçari Sotiraq (Raqi) Mëhilli dhe 32 vjeçari Eno Mata 32 vjeç kanë qenë duke udhëtuar me motor në momentin kur janë qëlluar me breshëri kallashnikov.

22-vjeçari Mëhilli ka ndërruar jetë rrugës për në spital, ndërsa 32-vjeçari Mata është në gjendje të rëndë, ndërkohë që është sjellë në spitalin e Tiranës.

“Më datë 27.05.2019, rreth orës 01:10, në fshatin Poro (rrugë) në rrethana ende të paqarta është qëlluar me armë në drejtim të shtetasve E.M dhe S.M të cilët po udhëtonin me motorr. Si pasojë të dy shtetasit janë plagosur, ku rrugës për në spital ka ndërruar jetë 22 vjeçari S.M, ndërsa shtetasi E.M, 32 vjeç, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore”, ka njoftuar Policia e Shqipërisë.

Forca të shumta të Policisë Vlorë dhe FNSH-së po krehin zonën, ku në fshatin Bishan është konstatuar duke u djegur një automjet tip Mercedes Benz, i cili dyshohet të jetë përdorur nga autori/rët.

“Është ngritur një grup i posaçëm hetimor i cili vijon punën për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve”, thekson njoftimi. /Telegrafi/